Presidentja Osmani dënon vrasjen në Prizren: Nuk është thjesht një krim, është një akt barbar

Një ngjarje tronditëse familjare ka ndodhur sot në mëngjes në qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk ka vrarë vajzën e tij 15-vjeçare me thikë, dhe ka plagosur rëndë edhe vajzën tjetër, 11 vjeçe dhe bashkëshorten.

Për këtë rast ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar”, ka shkruar ajo.

Reagimi i plotë:

Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi!

Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet!

Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar.

I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës! Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast.

Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura.

Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie.

Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë!

Ngushëllime të thella për jetën e pafajshme të humbur. Lutje për forcë dhe shërim për të mbijetuarat. Dhe zë i lartë për drejtësi! /GazetaSinjali/

Read Previous

Erdogan në bisedë telefonike me Trump

Read Next

Verstappen: McLaren përpara nesh, mund të fitoj vetëm gara ku nuk mund të parakalohet