Nesër sërish përpjekje për konstituim të Kuvendit të Kosovës

Nesër, më 7 maj 2025, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të 12-ën herë radhazi në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re. Seanca do të nisë nga ora 10:00 dhe mbahet vetëm 48 orë pas dështimit të seancës paraprake, ku nuk u miratua komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

Që nga seanca konstituive e parë më 15 prill, Kuvendi ka miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës – verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – ndërsa ka dështuar vazhdimisht në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Albulena Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk ka arritur të sigurojë shumicën prej 61 votash në asnjërën nga përpjekjet e deritanishme, duke marrë maksimumi 57 vota në një nga seancat.

Opozita, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka refuzuar ta mbështesë Haxhiun, duke kërkuar një emër më konsensual nga radhët e LVV-së. AAK ka sugjeruar figura të tjera si Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi.

Në këtë klimë tensioni institucional, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i dërgoi një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar për një takim për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Por Abdixhiku ka refuzuar këtë ftesë dhe ka dalë me një propozim të ri.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Abdixhiku deklaroi se LDK nuk sheh më mundësi për bashkëpunim me Kurtin, për shkak të stagnimit politik dhe rrezikimit të sigurisë nacionale. “E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z. Kurti. Por sot vendi është në krizë të thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme”, tha ai.

LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha partive shqiptare në Kuvend. “Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. I ftoj të gjitha partitë që të jemi bashkë për të ofruar zgjidhje”, theksoi Abdixhiku, duke shtuar se letra e Kurtit është shqyrtuar dhe ka shërbyer si nxitje për këtë iniciativë.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet partia më e madhe në Kuvend me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit. PDK renditet e dyta me 24 deputetë, ndërsa LDK ka 20. Kuvendi i Kosovës ka dështuar në 11 tentime për ta konstituar legjislaturën e nëntë, me ngërçin që qëndron kryesisht tek zgjedhja e kryeparlamentarit.

Mbetet të shihet nëse seanca e nesërme do të sjellë ndonjë përparim konkret, apo nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja për të dalë nga bllokada institucionale. /tvsyrivision/

Read Previous

​Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë në raundin e parë të votimit

Read Next

Guardiola: Ky trajner më ka bërë gjithnjë me dhimbje koke kur luaja kundër tij