Ambasadori Malaj: Skënderbeu ishte mburojë edhe për Evropën

Skënderbeu ishte mburojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën, tha të martën ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Në 620 vjetorin e lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, diplomati shqiptar u përkul para monumentit të Skënderbeut në Prishtinë.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për kombin shqiptar. Është 620 vjetori i ditës së lindjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeu figura madhore e vendit tonë, një figurë para së cilës ne përkulemi me respekt dhe mirënjohje. Ajo çka na ngelët është që brezat tanë të rinj të edukohen me frymën e krenarisë me gjithçka na la heroi jonë kombëtar, Skënderbeu, ishte një mburojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Kjo është shumë e rëndësishme dhe në ditët e sotme që po kalojmë të gjithë së bashku”, tha ai.

Heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princat shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdis më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë. /KosovaPress/

Read Previous

Ndahet nga jeta Genc Sherif Lleshi – ikonë, emër i paharruar i sportit në Gjakovë

Read Next

“Raphinha mund ta fitojë Topin e Artë dhe ta udhëheqë Brazilin drejt Kupës së Botës”