Sondazhi: Shumë njerëz në SHBA e Evropë druajnë se do të ketë luftë botërore për 5-10 vjet

Kur Evropa po përgatitet të shënojë 80-vjetorin e fundit të luftës së dytë botërore, një sondazh i fundit ka treguar se shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore besojnë se një luftë e tretë mund të shpërthejë brenda një dekade. E tensionet me Rusinë po konsiderohen rreziku më i madh për këtë.

Mes 41 dhe 55 për qind e respondentëve në pesë shtete të Evropës (Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë) kanë thënë se mendojnë që “është shumë ose mjaft e mundshme” që brenda 5 deri në 10 vjet të ketë luftë. Pikëpamja është e njëjtë edhe te 45 për qind e amerikanëve të anketuar nga organizata britanike “YouGov”.

68 deri 76 për qind mendojnë se në rast të një konflikti të tillë, do të përfshiheshin armë bërthamore dhe mes 57 e 73 për qind thonë se do të kishte më shumë humbje në njerëz sesa në luftën e 1939-1945. Mes 25-44 për qind e njerëzve menduan se kjo do të ishte shkaktari i më së shumti vdekjeve ndonjëherë.

Te shtetet evropiane, nga 16 për qind në Itali e deri te 44 për qind në Francë, mendojnë se ushtritë e tyre janë në gjendje të mbrojnë veten. Për dallim, 71 për qind e amerikanëve besojnë në ushtrinë e tyre.

Rusia shihet si shkaktarja më e mundshme e luftës së re botërore. Në Evropë përqindja shkon në 82 kur bëhet fjalë për këtë ndërsa në SHBA 69 për qind e amerikanëve besojnë se Rusia mund të jetë shkaktare. Shkaktari i dytë është terrorizmi islamik.

58 për qind e të anketuarve në Spanjë, 55 në Gjermani dhe 53 në Francë i shohin tensionet me SHBA-në si kërcënim në rritje ose të moderuar për paqen kontinentale./koha.net/

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Ngjarje kriminale në Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec

Read Next

Irani thotë se ka testuar një raketë që mund të arrijë në Izrael e papenguar