OBSH: Ngrirja e ndihmave amerikane lë boshllëqe financimi për evakuimet nga Gaza

Ngrirja e ndihmave nga SHBA e ka lënë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) pa 46 milionë dollarë, të cilat synonte t’i përdorte për të evakuuar pacientët e sëmurë rëndë nga Gaza dhe për të rindërtuar spitalet e dëmtuara në brezin bregdetar, tha sot një përfaqësues.

Duke folur me gazetarët përmes lidhjes video nga Rripi i Gazës, koordinatori i OBSH-së për rajonin, Rik Peeperkorn tha se ”operacionet mund të financohen ende për momentin me para nga donatorë të tjerë”.

”Por, OBSH shpreson që fondet e SHBA-së do të lirohen përsëri”, theksoi ai.

Presidenti i SHBA Donald Trump urdhëroi një pezullim të ndihmës humanitare në janar dhe tha se çdo zë i shpenzimeve do të rishikohej për të përcaktuar nëse i shërbente interesave të SHBA.

Peeperkorn tha se 889 pacientë të sëmurë rëndë janë evakuuar nga Rripi i Gazës që nga 1 shkurti, duke përfshirë 335 fëmijë, por mijëra të tjerë presin ndihmë që nuk mund ta marrin atje.

Ai i bëri thirrje Izraelit të lejojë transferimet në spitalet në Jerusalemin Lindor ose në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat ishin të mundshme para luftës.

Peeperkorn gjithashtu dha një përditësim mbi fushatën e vaksinimit ndaj poliomielitit në Rripin e Gazës, e cila ai tha se po shkonte mirë.

Ai tha se 92% e 591 000 fëmijëve të planifikuar të moshës nën 10 vjeç ishin vaksinuar deri më tani. /ATSH-DPA/

Read Previous

“Parada planetare”, fenomeni i rallë në qiell pritet të ndodhë këtë javë

Read Next

​Haxhiu: Kushtetuesja sa më shpejt ta nxjerr aktvendimin për ligjin për KPK-në