Rama: Duam që hebrenjtë dhe palestinezët të jetojnë në paqe, fqinjë në dy shtete sovrane

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi sot në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.

“Ne nderojmë milionat e humbur dhe qëndrueshmërinë e atyre që mbijetuan”, theksoi Rama në një postim në rrjetin social X.

“Kujtojmë gjithashtu me krenari se falë trimërisë së gjyshërve dhe nënave tona (kryesisht myslimane), Shqipëria, një komb i vogël me zemër të madhe, u bë një vend i shenjtë – duke dalë nga Lufta e Dytë Botërore si i vetmi vend evropian me më shumë hebrenj se më parë”, shkruan kreu i qeverisë.

Rama shprehet se Shqipëria do që hebrenjtë dhe palestinezët të jetojnë në paqe si fqinjë në dy shtete sovrane.

“Ne qëndruam atëherë, dhe qëndrojmë tani, kundër antisemitizmit dhe islamofobisë. Ne duam që hebrenjtë dhe palestinezët të jetojnë në paqe si fqinjë në dy shtete sovrane; pa tunele terrori poshtë dhe askush nuk e vë në dyshim të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”, thekson Rama.

Rama gjithashtu fton popullin hebre që të vizitojë dhe investojë në Shqipëri.

“Popullit hebre i themi sot: Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia juaj. Ejani, vizitoni, investoni dhe le të ndërtojmë një të ardhme më të përbashkët të rrënjosur në shpresë dhe unitet”, shprehet Rama. /ATSH/

Read Previous

Njerëzit në mbarë botën përkujtojnë 80-vjetorin e Holokaustit

Read Next

Zgjedhjet në Bjellorusi, Hungaria refuzon të nënshkruajë deklaratën e përbashkët të BE-së