Arrestohet Ilir Meta

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, këtë të hënë të 21 tetorit është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Lajmi i pa zyrtarizuar ende nga institucionet e drejtësisë u konfirmua nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Ky i fundit në një dalje televizive u pyet nga gazetarët se çfarë mendonte për arrestimin, Berisha u shpreh se ishte tërësisht politik.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

Sa i takon lidhjes së ish-presidentit të vendit dhe SPAK, ai është thirrur në ambientet e Prokurorisë për çështjen e njohur CEZ-DIA dhe atë të lobimit.

Meta vetë kishte njoftuar se do të mbante një konferencë për shtyp në orën 13:30, gjë që tashmë nuk duket e mundur.

CEZ-DIA

E ashtuquajtura CEZ-DIA e ka pikënisjen në vitin 2009, kur OSSH shiti 75 % të aksioneve te CEZ-DIA.

Marrëveshja do të vinte me një kosto prej 414 milionë euro për buxhetin e shtetit, pas prishjes së njëanshme të kontratës.

Kompania DIA e themeluar nga biznesmeni Kastriot Ismailaj do të bënte mbledhjen e borxheve për faturat e papaguara nga abonentët, por mbledhja nuk ndodhi asnjëherë.

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se ka qenë Ilir Meta ai që ka rekomanduar Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ.

Ndërkohë, i ndjeri Dritan Prifti ka rrëfyer se Meta kishte udhëtuar edhe në Çeki për të negociuar kontratën e Ismailajt.

Për këtë aferë u dënua me 11 vite burg Ismailaj, për akuzën  “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe mashtrim me pasoja të rënda”.

9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë dollarë nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara.

Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj. /Albanianpost.com

Read Previous

Rafuna: Bujqësia dhe energjia e ripërtërirë, dy sektorë jetik për Kosovën

Read Next

Emra të mëdhenj po largohen nga Apple, a është Tim Cook i radhës?