Një vit nga sulmi në Banjskë, Kearns: Radojiçiç dhe të tjerët duhet të përballen me drejtësinë

Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka kërkuar që kryekrimineli Milan Radojiçiç, dhe terroristët e tjerë që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, të përballen me drejtësinë.

Këto komente, Kearns i ka bërë përmes një postimi në platformën X, në njëvjetorin e sulmit terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Një vit nga sulmi i Banjskës. Një vit nga vrasja e Afrim Bunjakut. Milan Radojiçiç dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Kearns.

Deputetja britanike potencoi se drejtësia është e nevojshme për pajtimin dhe paqen në Ballkan.

Çka ndodhi në Banjskë?

Një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës fillimisht kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi. Në lidhje me këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radojiçiç-in.

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – kishte marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç e pranoi organizimin dhe përfshirjen në këtë sulm terrorist.

Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. /Albanianpost.com

Read Previous

Gërvalla takon homologun zviceran: Mërgata shqiptare urë lidhëse mes dy vendeve

Read Next

Bislimi: Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin e Republikën tonë