Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, të cilin projektligj kryeministri Albin Kurti e cilësoi si të rëndësishëm, duke theksuar se shëndetësia po ndryshohet rrënjësisht. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti vlerësoi se ky projektligj synon të garantojë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës.
“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor. Njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtje më të mirë sociale, që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e sqaroi rëndësinë e këtij projektligji, ndërsa i gjithë kabineti e votoi këtë projektligj.
Deklarata e Kurtit
Sjellim ndër mend që Kurti dje paralajmëroi lëvizje në lidhje me sigurimet shëndetësore, duke thënë se “janë të rëdnësishme dhe zotim”.
“Padyshim që sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme dhe ato janë edhe zotim i yni. Ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës së Qeverisë do të jetë për miratim dhe më pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore tek qytetari do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë” – tha Kurti.
“Prandaj nuk duhet parë sigurimet shëndetësore si njëlloj shkopi magjik i cili do të na i parandalojë sëmundjet ose do të na i eliminojë ato nëse i kemi” – u shpreh Kurti gjatë një prononcimi për media. /Nacionale/