Bashkëlojtarët e Inter Miami-t, Lionel Messi dhe Luis Suarez, kanë shkruar një tjetër kapitull në historinë e Major League Soccer – edhe pse i pari nuk ka luajtur prej javësh.
Pasi Suarez shënoi dy herë duke ndihmuar Miami-n të mposhtte Cincinnati-n të dielën në një ndeshje të MLS, uruguaiani fitoi për herë të tretë çmimin “Lojtari i Javës në MLS”. 37-vjeçari bashkohet me shokun e tij të skuadrës, Messi-n – i cili është jashtë fushës që nga korriku për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës – dhe Cristian Arango të Real Salt Lake, si tre herë fitues të këtij çmimi këtë sezon. Miami është skuadra e parë në historinë e MLS që ka dy lojtarë që fitojnë këtë çmim të paktën tri herë gjatë një kampionati.
Ndërsa Messi vazhdon të jetë jashtë për shkak të dëmtimit në kyçin e këmbës, Suarez po vazhdon të shënojë gola për Miami-n. Goli i shënuar ndaj Cincinnati-t ishte i 14-ti i tij këtë sezon dhe këto gola i kanë siguruar skuadrës së Herons një vend në Play-Off-et e MLS-së, ndërsa ata kërkojnë trofeun më të madh në futbollin e klubeve të SHBA-së.
Ish-ylli i Barcelonës dhe Liverpool-it, Suarez, është vetëm dy gola larg rekordit të klubit për golat e shënuar në një sezon të MLS, rekord që mbahet nga ish-sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain, i cili realizoi 16 herë në vitin 2022. Suarez mund të synojë thyerjen e këtij rekordi.
Miami, që ndodhet tetë pikë përpara në krye të Konferencës Lindore të MLS-së, do të përballet me Chicago-n më 1 shtator. Mbetet për t’u parë se kur Messi do të kthehet nga dëmtimi dhe do të bashkohet me sulmuesin Suarez. /Goal.com/