Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën sot në Shqipëri duke iu bashkuar përpjekjeve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona problematike të vendit.
Dy avionët vijnë në vendin tonë, si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t’u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike.
I pranishëm në pritjen e dy avionëve nga Rumania me ekuipazhet e tyre, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu falënderoi autoritetet rumune për ndihmën në këto momente të vështira.
Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve si dhe tjetri C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim.
Komisioni Evropian po mobilizon mbështetjen emergjente për Greqinë dhe Shqipërinë, të cilat të dyja kanë aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së në përgjigje të zjarreve të rënda.
Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERCC) ka mobilizuar menjëherë burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve nga disa vende evropiane që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile për të ndihmuar Greqinë.
Kjo mbështetje përfshin dy avionë zjarrfikës rescEU nga Italia, një helikopter rescEU nga Franca dhe një helikopter të ofruar nga Serbia.
Për më tepër, ekipet e zjarrfikësve në tokë janë vendosur nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania, ndërsa zjarrfikësit rumunë, maltezë dhe moldavë, të prepozuar tashmë në Greqi, ishin ndër reaguesit e parë që luftuan me zjarret në Greqi.
Komisioni po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme sipas nevojës.
Për më tepër, gjatë sezonit të zjarreve, mbi 540 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në vende kyçe në të gjithë Evropën, të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve kur është e nevojshme. /Albanianpost.com