Reagimet e botës pas tërheqjes së Biden nga gara për Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Sinjali.

Pas vendimit të tij, reagimet nga e gjitha bota nuk kanë ndaluar.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, shkroi se presidenti Biden ka arritur shumë për vendin e tij, për Evropën, për botën.

“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO është e fortë dhe SHBA-ja është një partner i mirë dhe i besueshëm për ne. Vendimi i tij për të mos kandiduar më, meriton mirënjohje”, shkroi kancelari gjerman.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se e respekton vendimin e presidentit Biden për të hequr dorë nga gara presidenciale.

“Unë e di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme, presidenti Biden do ta ketë marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”, shkroi kryeministri britanik.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një postim në rrjetin X i shprehu admirimin presidentit Biden për atë që ai e cilësoi vendim të guximshëm dhe dinjitoz.

“Falë vendosmërisë dhe udhëheqjes së tij, SHBA-ja e tejkaloi krizën ekonomike pas pandemisë dhe sulmit serioz në Kapitol dhe u bë shembullore në mbështetjen e saj për Ukrainën përballë agresionit rus të (Vladimir) Putinit. Një gjest i madh nga një president i madh që ka luftuar gjithmonë për demokraci dhe liri”, shkroi kryeministri spanjoll.

Read Previous

Mot i ndryshueshëm, ky është parashikimi për ditën e sotme

Read Next

Gjysmë ore pritje për të hyrë në Kosovë në Merdare