Berisha kryetar “me vulë”, por mbetet non grata për SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrim për ish-kryeministrin Sali Berisha, edhe pse kryetari i demokratëve arriti një fitore ligjore këtë javë në Gjykatën e Apelit.

Më 19 maj 2021, Departamenti amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në territorin e SHBA-së ish-kryeqeveritarit dhe familjes së tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe për “minim të demokracisë”. Atëkohë z. Berisha nuk kishte statusin e kryetarit të PD.

Nisur nga zhvillimet e fundit, RTSH pyeti ambasadën amerikane në Tiranë për ndikimin që do të ketë vendimi  i Gjykatës për njohjen e z. Berisha si kryetar legjitim i partisë më të madhe opozitare në vend.

“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA,” thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Një ditë më parë, presidenti amerikan Xho Bajden (o. Joe Biden) ritheksoi se korrupsioni – akuza kyç që ka penalizuar z. Berisha në sytë e Shtëpisë së Bardhë – mbetet një çështje e panegociueshme, madje një “emergjencë kombëtare” për gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Siç ka vërejtur Presidenti Bajden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara,” thuhet më tej në përgjigjen e përfaqësisë zyrtare të SHBA-së./rtklive

Read Previous

Kosova mirëpret ‘Government Borrowers Forum’ me përfaqësues nga e tërë bota

Read Next

Finlanda dyshon se katër avionë luftarakë rusë e shkelën hapësirën e saj ajrore