Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në seancën solemne me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, tha se NATO-ja ishte një dritë shprese, një shans për drejtësi, një shans për liri, raporton Sinjali.
Osmani tha se në këtë ditë, do ta kujtojmë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje.
“Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës së përgjakur, të dërmuar, e të shkatërruar, lotët, britmat, lulet dhe përqafimet që i pritën ushtarët e NATO-s, krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë.
Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve, uniformat me flamuj të shumtë, u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke e larguar njëherë e përgjithmonë makinerinë gjenocidale të Millosheviqit, të turpëruar dhe të kapitulluar.
NATO-ja ishte një dritë shprese – një shans për drejtësi, një shans për liri.
Ndaj në këtë ditë, do ta kujtojmë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur. Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë.“- tha Osmani.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova. /GazetaSinjali/