Kurti: Armatimi i madh i Serbisë tregon se ajo synon përshkallëzim

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, ka mbajtur një fjalim në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, nga ku ka thënë se armatimi i madh i Serbisë tregon që ajo po synon eskalimin e situatës në rajon.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova po bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, ndërsa Serbia me Rusinë, Kinën e Iranin.

“Derisa Republika jonë bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, si SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në, Serbia intensifikon bashkëpunimin e saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin” ka thënë Kurti, i cili gjithashtu ka përmendur raportin e publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, ku tregohet se 87 për qind e kosovarëve, mbështesin politikën pro BE-së dhe pro perëndimit.“Demokracia ka nevojë për siguri dhe siguri në mënyrë që të lulëzojë. Sipas një studimi të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, 87% e Kosovës mbështesin politikën pro BE-së dhe Pro-perëndimit. Kjo është përqindja më e lartë e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor” ka deklaruar Kurti.

Edhe vetë Albin Kurti në rrjetin social X ka thënë se është kënaqësi për të diskutuar në Londër sigurinë në rajonin e Ballkanit të Evropës.

“Një kënaqësi e madhe për të filluar ditën në MB me një fjalim kryesor në Konferencën e Mbrojtjes në Londër. Fola për rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, si dhe për kërcënimin akut që autokratët paraqesin për sigurinë e Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi”, ka shkruar Kurti. /RTK/

Read Previous

U largua nga Chelsea, dy klube të mëdha pas Pochettino

Read Next

UP-ja u bën thirrje deputetëve ta votojnë statutin e ri