Një numër aleatësh të NATO-s po bëjnë hapa drejt dërgimit të trupave në Ukrainë, për të trajnuar forcat e armatosura atje. Sipas medias amerikane Nju Jork Times, shumë kontraktorë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara gjenden tashmë në Ukrainë, për të riparuar sistemet e armatimeve të furnizuara nga Uashingtoni. Qeveria në Kiev i ka kërkuar SHBA dhe NATO-s të ndihmojë në trajnimin e 150 rekrutëve të rinj brenda Ukrainës, teksa përballet me mungesa të trupave në luftën kundër Rusisë.
E përditshmja amerikane pohon se një hap i tillë do të shënonte një tjetër kalim të vijave të kuqe, dhe mund të afrojë më shumë SHBA-në dhe BE-në drejt një lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë. Administrata Biden ka kundërshtuar publikisht dërgimin e instruktorëve por shefi i shtabit, mendon se diçka e tillë është e paevitueshme.
Sipas Nju Jork Times, Shtetet e Bashkuara do të duhej të mbronin çdo instruktor të NATO-s brenda Ukrainës, nga sulme, çka do të përfshinte potencialisht Amerikën në luftë.
Presidenti francez Emanuel Macron ishte i pari që foli për mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë gjatë muajit shkurt. Estonia dhe Lituania kanë mbështetur ose dërgimin e instruktorëve ose të trupave mbështetëse, për t’i dhënë mundësinë ushtarëve ukrainas të merren me detyrat luftarake.
Raportimet vijnë pasi këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan u tha gazetarëve se një paketë e re armatimesh do të njoftohet gjatë ditëve në vazhdim./a2news/