Gjakovë-Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit që u arrestua nën dyshimet për ngacmim seksual ndaj një të miture.
Përmes një njoftimi për media, Prokuroria njofton se zyrtari policor dyshohet se që nga dhjetori i vitit të shkuar e deri sivjet në muajin maj, ka ngacmuar seksualisht të miturën, duke i dërguar mesazhe të natyrës seksuale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se I pandehuri me inicialet A.D., nga muaji Dhjetor i vitit 2023 e deri me dt.08.05.2024, në Gjakovë, e ngacmon seksualisht në vazhdimësi personin e dobët të dëmtuarën/e mitur, në formë të sjelljes së padëshiruar verbale dhe jo verbale të natyrës seksuale me qellim të cenimit të dinjitetit, në atë mënyre që pasi që i pandehuri dhe e dëmtuara/e mitur ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale, i dërgon mesazhe të natyrës seksuale, me të cilat veprime të dëmtuarës ia cenon dinjitetin dhe tek e njëjta krijon një mjedis i cili objektivisht është frikësues, degradues dhe poshtërues, Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, ngacmim seksual në vazhdimësi nga neni 10 i Ligjit Nr.8/L-188 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit 06/L – 074 Penal të Republikës së Kosovës lidhur me nenin 183 par.4 lidhur me par.2, e lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /BetimiPërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.