Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka bërë të ditur sot në një njoftim të dhënë në rrjetin social Facebook se ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës për renovimin e stadiumit të Gjakovës.
Ministria ka ndarë 9 milion euro për përfundimin e stadiumit, ndërsa komunës i mbeten si obligim çështje të tjera që të arrihet përfundimi i stadiumit.
Njoftimi i dhënë më në detaje nga ministri Çeku:
“Stadiumi i qytetit në Gjakovë do të renovohet. Për ta bërë të mundur këtë kemi ndarë 9 milionë euro.
Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Komunën e Gjakovës, përmes së cilës ne kemi zotuar gjithë buxhetin e nevojshëm për përfundimin e stadiumit, ndërsa komuna ka për obligim zhvillimin e procedurave të prokurimit, punët ndërtimore si dhe mbikqyrjen teknike.
Futbollistët dhe qytetarët e kësaj komune dhe më gjerë do të kenë stadiumin e merituar, me kushte të dinjitetshme për të zhvilluar aktivitetet sportive dhe ndjekur ndeshjet e ekipeve të preferuara.”