Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.
Në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër të hënën, Kurti nënvizoi se Kosova është në hap me këto dy vende në vlera politike dhe në ato të biznesit.
Kurti para homologëve të tij nga gjashtë vendet e rajonit, tha se Kosova në tri vitet e fundit ka dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtpërdrejta të huaja, por theksoi se nevojiten më shumë të tilla.
“Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet. Dhe një element shtesë për të cilin kemi punuar shumë është për ta lidhur tregun e punës me arsimimin profesional në mënyrë që të kemi njerëz më shkathtësi të duhura, me çdo diplomë që jepet në shkollat tona të ofrohet edhe një vend pune. Kemi nisur këtë projekt në 14 komuna, 21 shkolla, 12 profile të ndryshme dhe këtë e kemi mësuar nga diaspora jonë e fuqishme sidomos në Gjermani dhe Zvicër, që po na i çojnë jo vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe zhvillimin ekonomik në Kosovë, përparimin demokratik dhe stabilitetin institucional, që sipas tij, e kanë ndihmuar Kosovën të luftojë me sukses rreziqet për sigurinë.
“Kemi pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që na ka ndihmuar shumë të luftojmë me sukses rreziqet për sigurinë dhe po ashtu të adresojmë ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale. Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve 2024-2025, kemi po ashtu edhe përparime në rendin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, në të drejtat civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale dhe jemi në zemër të lidhjes mes Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31 vjeçare dhe kemi një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investimet teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11-ta në një rangim duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të BE-së. Në këto tri vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja FDI, na duhen më shumë të tilla por jemi në vend të mirë sepse veçse po kemi këso investime, na duhen ende investime të këtij lloji”, shtoi Kurti.
Në anën tjetër, përmes një video-lidhje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi më shumë investime të huaja, derisa tha se bashkëpunimi në rajon nuk ka qenë kurrë më i zhvilluar.
“Çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar fare, jemi nën nivelet e rajonit. borxhi jonë publik ka pësuar rënie historike nën 60 për qind në fund të vitit 2023…Bashkë me vendet të tjera të rajonit jemi një vendi i mirë të shtuar investimet serioze. Në pyetjen pse duhet të investohet në Shqipëri, një përgjigje është se nëse nuk e bëjnë ata e bënë tjetër kush…Bashkëpunimi rajonal kurrë nuk ka qenë më i zhvilluar edhe sa i përket infrastrukturës dhe të tjera gjërave. Ajo çka dëshirojë të theksoj është se plani i ri i rritjes së bashkësisë evropiane me rajonin, natyrisht implikon se duhet të ketë bashkëpunim të fuqishëm mes neve. Në fund të fundit mund të themi sa i kemi të mirë eksportet dhe infrastrukturën, por duhet të mbajmë mend se jemi të vegjël për të pasur ndikim në Evropë, e lere më në botë”, theksoi Rama.
Ndërkaq, kryeministrja në detyrë e Serbisë, Ana Bërnabiq, teksa ftoi për investime të huaja në vendin e saj, tha se qeveria e re do të formohet shpejtë, derisa disa herë duke iu referuar Kosovës, tha “Kosovo Metohija”.
“Qeveria e re do të formohet shumë shpejti, besoj deri në fund të marsit. Unë jam kryeministre qysh nga viti 2017, do të shohim. Mirëpo ajo çka është me më rëndësi për investitorët është se Serbia të ketë një vizion të qartë se kah po shkon dhe rrugën që po e pret”, tha ajo.
Asaj iu kundërpërgjigj kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vendi i tij quhet Republika e Kosovës dhe jo si iu referua Bërnabiq.
Ai tha se po t’i shkonte kësaj rruge do të duhej që ta quante Serbia e Vojvodinës apo Sanxhakut dhe të tjera.
“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç është referuar këtu si Kosovo Metohija. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, pasi përveç Serbia do të duhej të thoja Serbia, Vjovodina, Sanxhaku, Toplica dhe Lugina e Preshevës dhe krahina e Demakut. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti.
Edhe kryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi nevojën e shtimit të investimeve të huaja në vendin e tij. /KosovaPress/