​Osmani nderon sakrificën e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

Në 27 vjetorin e rënies heroike të tre heronjve të parë të UÇK-së, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, me ç’rast tha se ata ishin nismëtar të lirisë dhe frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se përmes trimërisë, guximit e sakrificës së tyre inspiruan me mijëra djem e vajza që të luftojnë për lirinë e Kosovës.

Në këtë përvjetor të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, e para e shtetit potencoi se këta të fundit ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavarur dhe sovran që është sot.

“Sot nderojmë heronjtë tanë, heronjtë e lirisë tonë, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në 27 vjetorin e rënies së tyre në altarin e lirisë. Ata ishin nismëtarë të lirisë, ata ishin frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet guximit të tyre, trimërisë së tyre dhe sakrificës së tyre, inspiruan me mijëra djem e vajza të UÇK-së që të luftojnë për lirinë e Kosovës, dhe ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës që e gëzojmë sot. Nëpërmjet luftës së tyre ndaj okupatorit serb, Zahiri, Hakifi dhe Edmondi dëshmuan se çmimi i lirisë është shumë i lartë por është çmim të cilin populli i Kosovës nëpërmjet sakrificës së vet e pagoi duke ditur që liria, pavarësia dhe shteti që e trashëguam nëpërmjet trimërisë dhe guximit të tyre është shtet i cili do të rrojë përgjithmonë.Është shtet i cili do të vazhdojë të përparojë dhe është shtet që udhërrëfyes të vetëm e ka, pikërisht trimërinë dhe sakrificën e heronjve ”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës, pas homazheve tha se heronjtë e luftës dhanë jetën për vendin tonë “në mënyrë që brezat që janë sot me ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh të jetojnë të lirë nga okupimi dhe regjimi gjenocidal i cili në atë kohë vrau edhe më të pafajshmit edhe fëmijët në djep”.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta. /KosovaPress/

Read Previous

Zgjedhje të reja, Osmani: Nëse ka dakordim ndërmjet partive e shpalli datën e zgjedhjeve

Read Next

​Elezi: Të hënën do t’i kthejmë përgjigje kryesuesve të kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok