Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi të enjten presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për kontributin në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe vendimin e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për shtimin e trupave në kuadër të KFOR-it pas tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, por vëmendje iu kushtua edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).
“U fol edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të Zveçanit. Me këtë rast, kryeministri falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin e Maqedonisë së Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Duke dëshiruar më më të mirën për të dy shtetet, kryeministri Kurti falënderoi presidentin Pendarovski dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në BE dhe NATO.
Ndërkaq, në komunikatë thuhet tutje se presidenti Pendarovski u shpreh mirënjohës për mikpritjen. Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut përveç marrëdhënieve shumë të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme që të ndajë me Kosovën përvojat e saj sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimin në NATO.
/albanianpost/