556 vjetori i ndarjes nga jeta të Skënderbeut, MEPJ: Strateg ushtarak dhe diplomat i zoti

Skënderbeu Monument

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përkujtuar sot 556 vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

“Vepra dhe figura e Skënderbeut personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe forcimin e vetëdijes kombëtare”, thekson MEPJ.

Figura e tij është vlerësuar nga personalitetet më të shquara evropiane të kohës, si strateg ushtarak dhe diplomat i zoti, si burrë shteti që e integroi Arbërinë e tij në traktatet e para të Evropës politike, si “Atlet i Krishtit” dhe pararendës i aleancave ushtarake të kohës.

Skënderbeu ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar të vitit 1468, në moshën 63-vjeçare.

Ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i luftimeve mbrojtëse. Me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, asokohe më të organizuarat.

Gjergj Kastriot Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Arbërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava.

Ishte fëmija i fundit mes katër djemve dhe pesë vajzave.

Në moshë të vogël, ai u mor peng nga Sulltan Murati i II-të si ndëshkim për luftën që i shpalli babai tyre, Gjon Kastrioti.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi edhe zgjerimin osman drejt Evropës.

Për 25 vjet me radhë, e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Për këtë fitoi edhe mirënjohjen e Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe pas vdekjes.

Vepra dhe figura e Skënderbeut ka përmasa dhe rëndësi evropiane. Këtë e dëshmon edhe fakti që për të është shkruar një literaturë e tërë.

Qindra vëllime, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo dhe Fatos Daci. /Albanianpost.com

Read Previous

​Renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës pritet të nisë gjatë 2024-ës

Read Next

Reshjet e borës shkaktojnë anulimin e fluturimeve në Gjermani