Ismet Krasniqi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës për afro 17 vite, është emëruar këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.
Lajmi është bërë i ditur nga zyra e presidentes këtë të marte, derisa kanë thënë se Krasniqi, i cili para pak kohësh doli në pension nga puna e tij si sekretar i Kuvendit, “është shquar për përkushtim e profesionalizëm”.
“Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish- Presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se një kontribut të veçantë Krasniqi e ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit.
Osmani, nga ana tjetër, potencohet aty, i ka uruar mirëseardhje Krasniqit dhe ka theksuar se “angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale”.
Ismet Krasniqi nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, ishte pensionuar më 5 qershor të vitit të kaluar, pas shërbimit të tij nga kjo pozitë për rreth 17 vite.
Krasniqi pozitën e sekretarit të Kuvendit të Kosovës e ka ushtruar që nga viti 2006. /Albanianpost.com