Diaspora shpesh herë luan një rol kyç në ekipet kombëtare. Trajneri Vittorio Pozzo ishte i pari që e kuptoi këtë gjë, teksa drejtonte Italinë në triumfin e dyfishtë në Kupat e Botës 1934 dhe 1938.
Brenda asaj diaspore, Pozzo thirri Luis Monti-n, i cili kishte luajtur në finalen e Kupës së Botës 1930 për Argjentinën, dhe Raimundo Orsi, një tjetër ish-lojtar i Argjentinës që do të shënonte për Italinë në finalen e 1934, një fitore 2-1 ndaj Çekosllovakisë.
Rasti më i fundit, i cili tregon se diaspora mund të luaj një rol të madh në një ekip kombëtar që vuan për të nxjerr futbollistë të mëdhenj nga futbolli vendas është Maroku.
Skuadra marokene arriti të shkruante historinë në Kupën e Botës 2022, teksa mori vendin e katërt. I vetmi komb afrikan dhe arab që ka një arritje të tillë tashmë.
Yjet më të shquar të Marokut nuk kanë lindur në vendin e Afrikës veriore. Portieri, Bono ka lindur në Kanada. Achraf Hakimi në Spanjë. Noussair Mazraoui, Sofyan Amrabat dhe Hakim Ziyech në Holand. Ndërsa, Sofiane Boufal dhe kapiteni Romain Saiss në Francë.
Por, a mundet që edhe Kombëtarja e Shqipërisë të ketë një fat të tillë me diasporën? Sigurisht. Armando Broja është shembulli më konkret. I lindur në Angli nga dy prindër shqiptarë, sulmuesi i Chelsea-t zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat kuqezi që herët, pavarësisht ofertës për t’u aktivizuar me ekipet kombëtare të moshave të “Tre Luanëve”.
Si mund të duket Shqipëria e të ardhmes nëse diaspora do të kontribuonte 100 për qind në formacionin e parë të saj?
Në portë vendoset Angelo Sina. Gardiani 19-vjeçar i portës së skuadrës greke të Olympiacos U-19. Aktualisht ai nuk është pjesë e asnjë ekipi kombëtar.
Në mbrojtje janë tre emra: Bryan Boci, Gabriel Ramaj dhe Armand Likaj.
Boci, 20 vjeç, aktualisht luan te Lecco në Serie B. Më herët ai ka luajtur për Italinë U-19, teksa së fundmi ka zgjedhur të përfaqësojë U-21 e Shqipërisë.
Ramaj është 17 vjeç. Ai aktivizohet me Atalanta-n U-18, ku është kapiteni i skuadrës. Aktualisht është pjesë e Italisë U-18, teksa ka qenë më herët pjesë e Italisë U-16 dhe U-17, si dhe Shqipërisë U-17.
Likaj është 18 vjeç. Ai aktivizohet me Schalke 04 U-19. Aktualisht është pjesë e Gjermanisë U-17.
Në mesfushë vendosen Justin Ferizaj dhe Venis Uka.
Ferizaj, 18 vjeç, luan me ekipin U-19 të Frosinone-s. Aktualisht ai aktivizohet për Irlandën U-19. Më herët ka qenë pjesë e Irlandës U-15, U-17 dhe U-18.
Uka, 17 vjeç, aktivizohet me skuadrën U-19 të Preussen Munster. Më herët ka luajtur për ekipet zinxhire të Borussia Dortmund-it. Aktualisht ai nuk është pjesë e asnjë ekipi kombëtar.
Më të avancuar në fushë janë katër emra: Kevin Zefi, Rocco Vata, Luis Hasa dhe Brajan Gruda.
Zefi, 18 vjeç, luan për Inter U-19. Ai shihet si një nga talentet më me perspektivë në Irland. Aktualisht luan me Irlandën U-19, pasi më herët është aktivizuar me ekipet U-15, U-17 dhe U-18.
Vata, gjithashtu 18-vjeçar është një tjetër talent i madh shqiptaro-irlandez. Ai është djali i legjendës kuqezi, Rudi Vata. I lindur në Skoci, Rocco luan për ekipin B të gjigandëve të Celtic. Aktualisht luan për Irlandën U-21, pasi më herët ka qenë pjesë e U-15, U-17, U-18 dhe U-19.
Hasa, 19 vjeç, luan për skuadrën Juventus Next Gen, skuadra B e Juventus-it e cila militon në Serie C. Luisi është kampioni në fuqi i Evropës me Italinë U-19.
Më herët, Hasa ka qenë pjesë e ekipeve të Italisë U-18 dhe U-19. Federata Shqiptare e Futbollit ka pohuar zyrtarisht se ka pasur kontakete për afrimin e tij, ndonëse nuk ka ende asnjë zhvillim.
Gruda, 19 vjeç, luan për skuadrën gjermane të Mainz. Aktualisht ai po shkëlqen në Bundesliga ku ka realizuar një gol dhe një asistim në 14 paraqitje. Por, më shumë se golat dhe asistimet po vlerësohet niveli i tij i lojës.
Bryan aktivizohet me Gjermaninë U-21, pasi ka kaluar të gjitha grupmoshat që nga U-15, U-16, U-17, U-18 dhe U-19.
Sipas mediave gjermane, Gruda është mes Shqipërisë dhe Gjermanisë tashmë dhe dy federatat po bëjnë “luftë” për talentin e Mainz-it.
Në qendër të sulmit gjendet Nelson Weiper. 18-vjeçari aktivizohet gjithashtu te skuadra e Mainz. Këtë sezon ai është ndalur në vetëm tre paraqitje në Bundesliga për shkak të një dëmtimi, të cilin ende nuk e ka kalur.
Aktualisht ai është pjesë e Gjermanisë U-21. Më herët është aktivizuar me U-16, U-17 dhe U-18 gjermane.
Edhe në këtë rast, në mediat gjermane është bërë e ditur se Weiper mund të kalojë te Shqipëria, teksa kontaktet e para janë bërë.
/albanianpost/