Kurti e Nagavci vizitojnë nxënës të programit të arsimit dual

Si pjesë e fushatës për promovimin e arsimit dual, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, vizitoi dy ndërmarrje për të parë nga afër punën që po zhvillohet e aftësitë që po përftohen veçanërisht në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.

Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se nxënësit që vizitoi Kurti e të cilët janë pjesë e programit të arsimit dual, ishin nxënës të klasës së 11-të që vijojnë arsimin dual rreth dy vjet.

“Arsimi dual po zbatohet nga 920 nxënës në 12 profile, 14 komuna dhe 21 shkolla profesionale. Përgjatë shkollës së mesme të lartë, nxënësit pak më shumë se gjysmën e kohës e kalojnë në ndërmarrje dhe vende reale të punës”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje bëhet e ditur se i pari i qeverisë u bëri thirrje ndërmarrjeve, nxënësve dhe prindërve për t’u përfshirë në zbatimin e arsimit dual, si modalitet premtues për ndërlidhjen e arsimit profesional me nevoja të tregut të punës.

“Zbatimi i AAP-së është ofrimi i mundësisë për çdo të ri e të re për të ndjekur shkollimin profesional dhe mësimin e zanatit, është një premtim kyç i qeverisë për fuqi punëtore të kualifikuar për industritë tona, e që rrjedhimisht i shërben dhe rritjes ekonomike dhe sociale në Kosovë”, thuhet në njoftim.

/klankosova/

Read Previous

Konsumi i energjisë në Shqipëri, 44 për qind e ripërtërishme, rreth dy herë më e lartë se mesatarja e BE-së

Read Next

Florent Hasani transferohet te skuadra e madhe e Bukureshtit