Balla përgëzon operacionin e SPAK: Tregon ngritje në një nivel tjetër të agjencive ligjzbatuese

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me operacionin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, ku janë vënë në pranga ish-zyrtarë të lartë policorë, drejtues aktual të strukturave të rendit në Shqipëri apo dhe persona nga bota e krimit.

“Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë”.

Gjithashtu Balla ka përgëzuar prokurorët “për besimin dhe bashkëpunimin”.

“Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta”.

Sipas ministrit, ky operacion është “konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin”.

“Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”. /Albanianpost.com

Read Previous

Zjarri në IML, reagon Ministria e Drejtësisë

Read Next

Shea: Nëse grupet ekstremiste serbe nuk shpërbëhen, ekziston një probabilitet i madh që të depërtojnë në Kosovë