Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka bërë të ditur se në vitin 2023, ka pasur rritje të operacioneve në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ShSKUK ka thënë se në këtë klinikë janë kryer mbi 1 mijë operacione.
“Ka shënuar rritje për 25% numri i operacioneve të kryera nga kirurgët e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK”.
“Sipas raportit të punës së kësaj klinike, në nëntë muajt e parë të vitit 2023, janë kryer 1 mijë e 691 operacione, përfshirë operacione urgjente, por edhe ato të planifikuara, në programin e rregullt operativ”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së.
Duke ju referuar të njëjtit raport, është thënë se janë kryer edhe 303 intervenime endoskopike (ERCP), 147 Gastrokopi, 148 Kolonoskopi dhe shërbime të tjera të natyrës kirurgjike.
“Në kuadër te intervenimeve kirurgjike elektive ka dominuar Holecistektomia laparoskopike (heqja kirurgjikale e fshikëzës së tëmthit), kurse te sëmundjet urgjente ka dominuar trajtimi kirurgjik i apendicitit akut (zorra qorre), në kuadër të abdomenit akut si sindromë klinike”.
Ndërsa, është sqaruar se numri i intervenimeve kirurgjike të realizuara në nëntë muajt e parë të këtij viti është i barabartë, pothuajse me intervenimet kirurgjike të realizuara gjatë krejt 2022. /Albanianpost.com