Ndonëse ka pasur kritika të vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos për punën e Prokurorisë në përgjithësi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për dy vjet e gjysmë qeverisje në Kosovë ka mbizotëruar sundimi i ligjit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti, ka bërë bilancin e sukseseve të Qeverisë së udhëhequr nga ana e tij në raport me ligjshmërinë në vend.
“Me mbi 1 mijë operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë. Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend”, shkroi fillimisht Kurti.
Falë punës së institucioneve të sigurisë, Kurti thekson se janë lokalizuar dhe shkatërruar 16 laboratorë të drogës, prej tyre nëntë në Veri të vendit.
“Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike”.
Sipas Kurtit, mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave.
“Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro”.
Në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, bënë të ditur Kurti, janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufinjve përkatës.
“Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar”.
Kryeministri ndër të tjera ka bërë të ditur se në vend janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit.
“Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro”.
/albanianpost/