Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka falënderuar Shqipërinë për mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Ukrainës, si edhe për rolin e vendit në promovimin e paqes.
Kështu e ka hapur ai fjalën e tij gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme, pasi ka qenë vetë i pranishëm në tryezën e diskutimit, për të përfaqësuar Zvicrën.
Sipas Berset, pasojat e kësaj lufte janë planetare, pasi ka rreziqe bërthamore, pabarazia është rritur dhe karta e OKB-së është shkelur rëndë nga Rusia.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar që integriteti i Ukrainës të respektohet plotësisht dhe i kërkoi Moskës të tërheqë menjëherë agresionin.
Një gjuhë e fortë kjo, pavarësisht neutralitetit ushtarak që Zvicra gëzon tashmë prej dekadash në Evropë.
Të gjithë qytetarëve të Ukrainës u duhet garantuar e ardhmja, mbi të gjitha fëmijëve.
Por, Këshilli i Sigurimit, rolin e tij e ka të kufizuar dhe duhen gjetur mënyra alternative se si karta e OKB-së të zbatohet plotësisht.
Në këtë frymë, vetë Zvicra po bën të pamundurën për të ndihmuar Ukrainën në mënyra humanitare, apo edhe me çminimin e zonave të minuara nga Rusia në Ukrainë.
Teksa, si synim dhe opsion i vetëm, multilateralizmi është rruga e duhur, në sytë e presidentit zviceran.
/albanianpost/