Arrestohen disa të dyshuar për gjenocidin në Srebrenicë

Anëtarët e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA), me urdhër të prokurorit të Departamentit Special për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës, kanë arrestuar disa persona të dyshuar për pjesëmarrje në gjenocidin e Srebrenicës në korrik 1995.

Siç ka njoftuar Prokuroria e BeH-së, ata janë arrestuar në zonën e Zvornikut, Shekoviç-it, Han Pijeskës, Vlasenicës dhe Bileçës.

“Të dyshuarit janë ish-komandantë dhe anëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska (VRS), dhe ata akuzohen për pjesëmarrje në kapjen dhe vrasjen e rreth 70 viktimave, burra dhe djem të kombësisë boshnjake, si dhe një gruaje, më 15, 19 dhe 23 korrik 1995, në lokacionin Jarovlje në Vlasenicë dhe dy lokacione në zonën Bishine-Sekovići, pas së cilës ata organizuan makineri dhe kryen aktivitete për nxjerrjen e trupave të të vrarëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “gjenocid”.

Të arrestuarit do të dëgjohen nga ushtruesi i detyrës së prokurorit të BeH-së dhe më pas do të marrë vendim për hapat e mëtejshëm.

“Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës vazhdon aktivitetet e saj për gjetjen e personave të dyshuar për pjesëmarrje në gjenocidin në Srebrenicë”.

Në korrik të 1995-ës, forcat nga Republika Srpska, e shkëputur nga Bosnja e Hercegovina, vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenicës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

Kjo gjykatë i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Megjithatë, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Serbe në Bosnje- Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA-ja paralajmëron Korenë e Veriut që të mos e furnizojë me armë Rusinë

Read Next

Anulohen dy seanca në gjykimin ndaj Pjetër Shalës