Kurti: Me evropianët e amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë dhënë për Veçernji List ka thënë se Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan presidentin serb, Aleksandër Vuçiq që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri.

Kurti thotë se u vendosën masa ndëshkuese ndaj tij, dhe nga ana tjetër kishte falje për presidentin Vuçiq, çka thotë se “kjo është një padrejtësi”.

Kryeministri thotë se me evropianët edhe amerikanët, ka komunikim dhe koordinim të rregullt, por ka edhe dallime të vogla mes tyre.

“Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka thënë Kurti.

Ndërsa i pyetur rreth një takimi të mundshëm me presidentin serb, Kurti thotë se Vuçiq nuk është i interesuar për bisedime.

“Herën e fundit që ishim në Bruksel, më 22 qershor, ai nuk donte të takohej me mua. Kemi pasur dy takime dypalëshe, unë në njërën anë, Vuçiq në anën tjetër, me Borrellin dhe Lajçakun. Vuçiq nuk është as konstruktiv dhe as i interesuar për bisedime që do të çonin në zbatimin e marrëveshjeve tona”, thotë Kurti./Reporteri.net/

Read Previous

Kuvendi sot dhe nesër i fton mërgimtarët për vizitë

Read Next

Edhe sot kolona te Dheu i Bardhë, mbi një orë pritje për të hyrë në Kosovë