Zelensky propozon që eksporti i grurit nga Ukraina të kryhet vetëm me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së

Ukraina i ka propozuar Turqisë dhe OKB-së që korridori i drithit të vazhdojë të funksionojë pa Rusinë, e cila u tërhoq nga marrëveshja të hënën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se Ukraina nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me Rusinë, dhe se një marrëveshje për eksportin e grurit është nënshkruar me Turqinë dhe OKB-në.

“Nisma e grurit të Detit të Zi mund dhe duhet të vazhdojë të funksionojë, nëse duhet pa Rusinë, atëherë pa Rusinë. Marrëveshja për eksportin e grurit me Turqinë dhe OKB-në, mbetet në fuqi. E vetmja gjë që duhet tani është zbatimi i kujdesshëm i tij dhe presioni vendimtar i botës ndaj shtetit terrorist”, tha Zelensky.

Zelensky tha se ai i ka dërguar letra zyrtare presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në të cilat ai propozon vazhdimin ose ekuivalentin e saj në një format trepalësh.

“Ukraina, OKB dhe Turqia së bashku mund të sigurojnë funksionimin e korridorit ushqimor dhe inspektimin e anijeve. Kjo është e nevojshme për të gjithë në botë”, tha presidenti ukrainas.

/Telegrafi/

Read Previous

Kastrati, KFOR-it: FSK ka detyra ushtarake e jo civile

Read Next

Lajçak pas takimit me Kurtin: Diskutim i dobishëm për situatën në veri dhe rrugën drejt de-eskalimit