Meçi historik me Luan Krasniqin, Lamon Brewster për boksierin shqiptar: Ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm, kam respekt të madh për të

Luan Kransniqi është absolutisht njëri nga boksierët më të mirë shqiptar.

Arritja e tij kryesore e karrierës ishte lufta kundër Rene Monse, kur u bë kampion i Evropës, me Krasniqin që ishte kampioni i parë evropian i Gjermanisë pas 29 vitesh.

Megjithatë, meçi më i diskutuar dhe më i rivalizuar i tij ishte ndaj amerikanit Lamon Brawster, meç të cilin e humbi, por tregoi forcë, karakter dhe shpirt luftarak deri në fund.

Çdo gjë filloi mirë për boksierin tonë, me rreth 13 mijë tifozë shqiptarë që kishin shkuar për ta përkrahur atë. Krasniqi ishte në epërsi sa i përket pikëve ndaj Brewster, por disi u hutua në raundin e 8-të dhe u rrëzua nga kundërshtari. Megjithatë, Luani gjeti forcë, u ngrit në këmbë dhe luftoi edhe në raundin e 9-të, derisa gjyqtari përfundimisht e ndërpreu meçin, duke i dhënë fitoren amerikanit.

Një fakt interesant është se Brewster u detyrua të largohet nga salla me ndihmën e ekipit të tij, sepse ishte shumë i lodhur nga goditjet e pranuara nga boksieri shqiptar.

Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, 18 vite pas asaj lufte, amerikani Lamon Brewster tha se ishte një meç i jashtëzakonshëm, por se e kishte kuptuar shumë vonë se do të përballej me të.

Ishte një ndeshje e madhe dhe e jashtëzakonshme mes nesh. Unë e kuptova shumë vonë se do të luftoja me Luanin. Nuk kisha kohën e duhur për t’u përgatitur. Kundërshtari im e dinte muaj përpara se ne po luftonim, kështu që ai ishte i përgatitur mirë. Nëse do të kisha pasur kohën që ai kishte, do të kisha bërë një paraqitje shumë më të mirë”, tha fillimisht ai.

Tutje, amerikani tha se ka respekt të madh për boksierin shqiptar, duke thënë se ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm.

Ajo se çfarë mund të them unë tani është se Luani ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i aftë. Kam respekt të madh për të“, përfundoi ai.

Brewster mbajti titullin e peshave të rënda të WBO nga viti 2004 deri në 2006 dhe është i njohur për një fitore poashtu me nokaut kundër Wladimir Klitschko. /GazetaBlic Sport/

Read Previous

Sondazhi: Shumica e qytetarëve në Gjermani të pakënaqur me Scholz

Read Next

BE pret hapa të tjerë nga Kosova për të hequr masat