Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se protestat e dhunshme në veri janë organizuar nga Beogradi.
Ai ka thënë se në veri nuk duhet të ketë struktura ilegale dhe veprime kriminale, duke shtuar se vetëm me të tilla kushte mund të mbahen zgjedhjet e reja.
“Duhet të vendosim një shtet të së drejtës. Nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme demokratike pa ligjshmëri. Këtu kam ngulur këmbë. Nuk dua të kaloj nga një dështim në tjetrin. Lista Serbe iku nga institucionet sepse kanë llogaritur gabim. Menduan se sistemi ynë do të shembet në veri por nuk u shemb. 500 policë në veri i zëvendësuam me policë të tjerë”, tha Kurti.
Kurti ka thënë për France24 se legjitimiteti politik është i dobët për shkak të daljes së ulët në votime, porse sipas tij, pjesa tjetër atje nuk ka legjitimitet fare.
Ka shtuar se ditët e fundit nuk ka pasur protesta të dhunshme, pasi sipas tij, nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi.
Derisa ka përshkruar lidhjen e Serbisë me Rusinë, ai ka thënë se politikani më i preferuar në Serbi nuk është presidenti i tyre e as kryeministrja, por presidenti rus Vladimir Putin.
Sipas tij, Rusia dhe Serbia e urrejnë faktin se Kosova ka progres ekonomik e politik.
Ndër të tjera, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja në komunat veriore do të mbahen pas disa muajve, jo para korrikut siç ka kërkuar emisari amerikan, Gabriel Escobar.
Kurti tha se pushteti në Kosovë nuk merret me shok-bomba e granata dore, por vetëm me zgjedhje të lira dhe demokratike derisa shtoi se kryetarët aktualë në komunat veriore nuk do të mund të rizgjidhen.
“Pas disa muajve mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi është sundimi i ligjit. Duhet të kemi së pari që të heqim bandat e dhunshme dhe vetëm atëherë mund të kemi zgjedhje të hershme”.
“Këta kryetarë komunash nuk do të rizgjidhen. Nuk e di se kush nga 38 kryetarët e komunave në Kosovë do të rizgjedhet, por me siguri këta katër në veri nuk do të zgjidhen. Por, në Kosovë nuk mund të vish në pushtet pa zgjedhje të lira demokratike, jo me shok-bomba, granata dore dhe plumba”, deklaroi shefi i ekzekutivit kosovar./Reporteri.net/