Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për median opozitare serbe Danas është shprehur se “retorika e Presidentit të Serbisë (Aleksandër Vuçiç) po bëhet gjithnjë e më radikale me afrimin e afatit për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Brukselit”.
Këto komente ajo i bëri pas deklaratatave të ashpra të bëra nga Vuçiç të enjten dhe të premten, ku e sulmoi edhe bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat në Veri të Kosovës të dielën e 23 prillit, ku tha se nervozizmi i tij ka të bëjë me mos formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Arsyeja që doli për t’i thirrur të gjithë bashkë – gënjeshtarë; është fakti se nuk është formuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, si dhe pritja që pas zgjedhjeve në veri të Kosovës, në të cilat serbët nuk marrin pjesë, qeveria e Prishtinës, në kuptimin e pushtetit, do t’i “marrë” ato komuna dhe në këtë mënyrë gjen argumente për se nuk ka nevojë që të themelohet ai mekanizëm”.
Mungesa e Listës Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi, në zgjedhjet e së dielës për katër komunat në Veri të Kosovës, për Biserkon është tregues i qartë që “ata ende janë një levë e rëndësishme për provokimin dhe destabilizimin e Kosovës”.
Ndërkaq, Bisekro tha se përfaqësuesit e Kosovës në takimin e 2 majit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, janë të obliguar që të dalin me një “plan të realizueshëm” për Asociacionin, duke iu referuar deklaratave të të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Perëndimi është i vetëdijshëm se Asociacioni për të cilën insiston Beogradi është një opsion i papranueshëm. Beogradi nuk ka shumë zgjedhje, sepse varet në çdo mënyrë nga Perëndimi. Mbështetja te Rusia dhe Kina do të thoshte rrënim dhe shembje të mëtejshme të këtij vendi. Edhe pse shpirti i tij është në Rusi, nuk jam i sigurt se Vuçiç është aq racional sa të kuptojë se Serbia është Evropë”, thotë ajo.
Po ashtu, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut potencon se Vuçiç është në presion nga ShBA-ja dhe BE-ja, “veçanërisht kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, pasi që kjo e fundit e ka ndërmarrë një fushatë ushtarake për ta pushtuar Ukrainën.
/albanianpos/