Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon është shprehur e lumtur pas vendimit të miratimit të liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Parlamentit Evropian.
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’, Cramon ka uruar qytetarët e Kosovës për “lirinë e lëvizjes”.
“Urime për liberalizimin e shumëpritur dhe shumë të merituar që do t’ju lejojë të udhëtoni më në fund lirisht nëpër Evropë që nga viti 2024! Gëzuar lirinë e lëvizjes!”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ky votim ishte hapi përfundimtar në proceduarën për liberalizimin e vizave.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të ministrave të BE-së dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e Parlamenti Evropian, Roberta Metsola.
Më 19 prill, pritet të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij. /Albanianpost.com