Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka marrë pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Washington.
Gjatë takimeve ai i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare.
Sejko u shpreh se “ekonomia jonë i rezistoi mirë goditjeve të njëpasnjëshme nga tërmeti, pandemia dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, të cilat nisën gjatë vitit 2022 dhe vijojnë të jenë ende të pranishme”.
“Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Këto vendime për të rritur normën, kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionet më të fundit”.
Sipas tij, politikat ekonomike të ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.
Inflacioni, theksoi guvernatori, ka filluar kurbën rënëse, duke arritur në 5.3% në muajin mars.
“Ai pritet ta vijojë këtë trajektore gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024”.
Lidhur me tregjet financiare, Guvernatori Sejko u shpreh se ato mbeten të qeta, edhe në prani të shtrëngimit global të kushteve të financimit.
“Sektori bankar paraqitet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Në veçanti, treguesit e likuiditetit dhe ata të kapitalizimit të këtij sektori mbetën të kënaqshëm dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi vlerën 18.1% në fund të vitit 2022”.
Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorë të bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.
Shqipëria u përfaqësua në këto takime me një delegacion të përbashkët të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe me pjesëmarrjen e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të të dy institucioneve.
/AlbanianPost/