Kurti: Kosova është e përkushtuar për sistem energjetik të përbashkët me Shqipërinë

Në mbledhjen e 113 të Qeverisë së Kosovës, është shqyrtuar Strategjia e Energjisë 2022-2031 e cila siguron furnizim me energji dhe është bazë për zhvillimin ekonomik.

“Sot para nesh kemi një nga dokumentet më të rëndësishme për shqyrtim në këtë viti, Strategjinë e Energjisë 2022-2031. Sigurimi i furnizimit të besueshëm me energji elektrike me kosto të përballueshme dhe të pastër, është thelbësor për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të saj”, tha Kurti.

Kryeministri më tej theksoi se kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta e bindëse të sektorit të energjisë, siç parashihet në vizionin e Qeverisë për energji dhe në përputhje me qëllimin tonë e të Bashkimit Evropian. Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun pan-evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët.

“Strategjia parashikon një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, kryesisht në teknologjitë e erës dhe fotovoltaike. Deri në fund të vitit 2031 parashihet të kemi 1600 MW kapacitet të instaluar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë”, tha Kurti.

Më tej kreu i Qeverisë, theksoi se ndërkohë, investimet në kapacitetet bazë me thëngjill janë të domosdoshme për të rritur sigurinë e furnizimit në afat të shkurtër.

Kryeministri shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për integrimin e tregut dhe planifikimin e përbashkët të sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë. Bursa e përbashkët me Shqipërinë do të funksionalizohet në vitin që po hyjmë, ndërsa bashkëinvestimi në termocentrale me gaz natyror në Shqipëri tanimë është duke u shqyrtuar. Integrimi i sistemit elektroenergjetik të Kosovës në atë pan-evropian të energjisë elektrike, planifikohet më së largu në vitin 2030.

”Në fund, por mbase më e rëndësishmja, Strategjia e Energjisë, për herë të parë i vendos qytetarët në qendër duke u siguruar që ata të kenë qasje në energji me kosto të përballueshme. Duke u fuqizuar për të marrë pjesë në këtë sektor në mënyrë aktive dhe duke u siguruar që grupet më të cenueshme të shoqërisë përfitojnë nga skemat e dedikuara për ta. Për shembull masa të efiçiencës në shtëpi e ndërtesa, vendosje të paneleve solare, blerje të pajisjeve shtëpiake efiçiente, sisteme efiçiente për ngrohje, e të tjera”, tha Kurti.

Sipas tij sektori i energjisë ka potencialin të ndryshojë tërësisht drejtimin e vendit për sa i përket zhvillimit socio-ekonomik. E, qëllimi kryesor i Qeverisë është që kjo strategji t’i mundësojë sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit tonë dhe rritjen e mundësive të bizneseve tona dhe punësimit të të rinjve tanë. Andaj, shqyrtimi i kësaj Strategjie është i një rëndësie të veçantë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Rizvanolli për pagesën e rrymës në veri: Nuk mund të vazhdojmë kështu në këtë kohë krize

Read Next

Kryesia e Kuvendit vendos për seancën e re, në rend dite një varg pikash nga seancat e papërfunduara