Haxhiu: Institucionet në Veri janë duke funksionuar edhe pas largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në Veri pas dorëheqjes së gjykatësve dhe prokurorëve serb nga këto pozita.

Ajo në konferencë për media e pyetur nga gazetarët rreth kësaj çështje ka thënë se janë duke komunikuar vazhdimisht me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë.

Haxhiu ka thënë se institucionet janë duke funksionuar.

“Pavarësisht, mos pajtimeve që mund t’i kemi me KGJK-në, për çështje të tjera të interesit nacional ne kemi komunikim të mjaftueshëm. Menjëherë pas dorëzimit të mandatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Serbia unë kam pasur takim me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, kryeprokurorin e shtetit, Besim Kelmendin dhe jemi koordinuar që gjykatat në Veri të funksionoj në përputhje me mandatin ligjor”.

“Pra, institucionet në Veri të vendit përfshirë edhe prokuroria edhe gjykatat janë duke funksionuar, pra po vijojnë punën në anën tjetër qytetarët po i marrin shërbimet e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, sa i përket lendeve të cilat kanë qenë në kompetencë të gjyqtarëve dhe prokuroreve që janë dorëhequr ajo ka thënë se vendim për këtë do të marrë KGJK.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë një plan për këtë ajo çka mua më takon të flas në këtë drejtim si ministre e drejtësisë është vetëm që këto institucione janë duke funksionuar”.

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Pas largimit, gjyqtari i Apelit në Prishtinë, Nikola Kabasiç, ka thënë për mediat se më nuk kthehet në detyrë.

“Po e bëjë atë që e kam paralajmëruar para dy ditësh. Gjykatësit që dje nuk arritën t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e kanë bërë përmes email-eve. Kolegët tanë shqiptarë dhe punonjësit e administratës qëndrojnë në punë dhe i gjithë stafi administrativ serb dhe gjyqtarët kanë dhënë dorëheqje”.

Ai ka shtuar se pjesa tjetër ju takon politikanëve.

“Tani po presim për mënyrën se si do t’ia bëjmë me lëndët që i kemi pasur dhe me pajisjet që i kemi huazuar nga zyrat. Jam duke folur për vetën, nuk do të kthehem. Pjesën tjetër ua lë politikanëve”, ka thënë gjyqtari Kabasiç.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç u shpreh se lëndët që i kishin zyrtarët serbë, janë bartur te kolegët e tyre shqiptarë.

Ndryshe, largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri./Albanianpost.com

Read Previous

Ballkani Perëndimor po e humb popullatën e re, shkak migrimi

Read Next

Drejtori i AKI-së raporton për situatën në Veri