Edhe zyrtarët e komisioneve zgjedhore në Veri, japin dorëheqje

Vendimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe, gjykatësve e prokurorëve serbë, të cilët dorëzuan dorëheqjet e tyre, i janë bashkuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Kështu ka bërë të ditur zyrtari i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut, Slobodan Dimitrijeviq, për mediumin serb në seli në Kosovë (KosovoOnline).

Ai ka theksuar se me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje në mëngjesin e së mërkurës nga pozitat e tyre.

“Një veprim të tillë e kemi vendosur me njoftimin e Qeverisë së Kosovës se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të shpallen në komunat tona pa marrëveshje politike dhe vullnetin e qytetarëve në komunën Leposaviq, Zveçan, Severna Mitrovicë dhe Zubin Potok”, ka thënë Dimitrijeviq.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një përgjigje për Portali Dukagjini, ka thënë se KQZ-ja e ka pranuar tashmë kërkesën për rekomandimin e emrave për plotësimin e vendeve të lira në Kuvendin e Kosovës.

“Konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Sipas tij, rekomandimet do të përgatiten brenda afatit ligjor, prej pesë ditësh.

“Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, shtoi Elezi.

Të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Policët e komunitet serbë duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Njoftimi vjen pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriutNenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

/Dukagjini/

Read Previous

DeSantis konfirmohet në Florida: Kush është rivali republikan i Trump-it?

Read Next

Pas Twitter tronditje edhe në Facebook, priten pushime masive nga puna