Rikthimi i Rusisë në marrëveshje jep efekt të menjëhershëm, bie çmimi i grurit

Çmimet e grurit, të cilat ishin rritur në fillim të javës, filluan të pësojnë një rënie pasi Rusia tha se po i rikthehej marrëveshjes së Korridorit të Sigurt të Grurit të Detit të Zi, pavarësisht dyshimeve nëse do të respektonte angazhimet e saj.

Gjatë ditës së djeshme, Rusia njoftoi se kishte marrë garanci me shkrim nga Ukraina për të çmilitarizuar korridorin detar të përdorur për eksportin e ushqimit dhe për këtë arsye ra dakord të kthehej në marrëveshje. Megjithatë, disa orë më vonë, presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska rezervon të drejtën e saj për t’u tërhequr nga marrëveshja në rast të shkeljes së garancive nga Ukraina.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, gruri ra në 340,50 euro për ton rreth orës 15:30 në Euronext, me një rënie prej 4,8% nga mbyllja e djeshme. Çmimi i sojës ra në 657 euro për ton (-2%) dhe i misrit në 332.75 euro për ton (-1.5%).

Menjëherë pas hapjes në bursën e Çikagos, çmimi i grurit SRË ra në 8,43 dollarë për buhel (rreth 20 kilogramë), duke rënë 6,59%. Misri ra në 6,835 dollarë (-2,04%) dhe soja në 14,28 dollarë (-0,54%). /abcnews.al

Read Previous

Tre rezultatet e mundshme të zgjedhjeve të 8 nëntorit në SHBA, kush do të drejtojë Kongresin dhe Senatin

Read Next

Publikohet fotografia e përbashkët e liderëve të Ballkanit në Samitin e Berlinit