Aleanca ushtarake e NATO-s, do të nisë stërvitjen e saj vjetore bërthamore “Stesdfast Noon”.
Kështu u bë me dije nëpërmjet një deklarate për shtyp, nga vetë organizata.
Stërvitja do të nisë të hënën e 17 tetorit dhe do të jenë deri në 60 avionë, të cilët marrin pjesë në fluturimet stërvitore mbi Belgjikë, Detin e Veriut dhe Britaninë e Madhe.
Stërvitjet bërthamore po zhvillohen mes tensioneve të rritura, pasi Rusia ka kërcënuar vazhdimisht me sulme bërthamore në Ukrainë.
Stërvitja e cila do të zgjasë deri në 30 tetor, është një aktivitet stërvitor rutinë dhe nuk lidhet me ngjarjet aktuale në botë, bëhet me dije nga vetë aleanca.
Ndërkohë, “Stesdfast Noon”, ka të ngjarë të përkojë me stërvitjet vjetore bërthamore të Moskës, të quajtura “Grom”, të cilat zakonisht kryhen në fund të tetorit dhe në të cilat Rusia teston bombarduesit, nëndetëset dhe raketat bërthamore.
Belgjika do të presë stërvitjet, që përfshijnë 14 vende, ku do të ketë angazhim edhe me avionët luftarakë më të avancuar në treg dhe bombarduesit amerikanë B-52, me rreze të gjatë, të cilët do të fluturojë nga baza ajrore Minot në Dakotën e Veriut.
Të martën, shefi i NATO-s, Jens Stolenberg bëri të qartë se aleanca do të vazhdojë me stërvitjet e saj, pavarësisht situatës së tensionuar ndërkombëtare.
Gjithashtu ai theksoi se anulimi i stërvitjeve për shkak të luftës në Ukrainë do të dërgonte “një sinjal të gabuar” duke argumentuar se fuqia ushtarake e NATO-s është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të çdo konflikti.
Ndërkohë, pak muaj më parë një zyrtar i Forcave Speciale të organizatës shprehet se “NATO është përpjekur të mbështesë Ukrainën, e cila nuk është anëtare e aleancës, ndërkohë që po përpiqet të parandalojë përhapjen e konfliktit në vendet e tjera në rajon”.
Por, mbi të gjitha, sipas këtij të fundit, objektivi kryesor i NATO-s vazhdon të jetë mbrojtja e vendeve anëtare.
Teksa Ukraina nuk po merr pjesë këtë vit, shumë nga stërvitjet po zhvillohen në zona rreth saj, afër territorit rus. /Albanianpost.com