Rama lobon në SHBA për fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe përparimin e dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim zyrtar me nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike në SHBA, Victoria Nuland, me të cilën në tryezë janë hapur një sërë temash bisedimi, ku përfshihen edhe sulmi i fundit kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë, si edhe përparimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim të shpërndarë nga vetë kreu i Qeverisë, tregohen pamje nga tryeza me Nuland, ku janë diskutuar çështjet e rëndësishme.

Objekt kryesor i bisedës, ka qenë fillimisht ai i planit të përbashkët për fuqizimin e mbrojtjes kibernetike. SHBA-të, kanë qenë shteti më i madh aleat, i cili dha ndihmën për të sprapsur agresorët iranianë nga sistemi dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike të sistemit qeveritar.

Po ashtu, porti i ri tregtar i Durrësit dhe baza ushtarake detare në Porto Romano, kanë qenë tema diskutimi, ku sërish amerikanët do të jenë të angazhuar aktivisht.

Një temë diskutimi ka qenë edhe ajo e krizës energjetike si edhe aleanca pro Ukrainës mes vendeve të NATO-s, ku Shqipëria bën pjesë.

Për kryeministrin, Shqipëria ka rol me rëndësi në rajon dhe kjo reflektohet edhe në nismën e Ballkanit të Hapur.

Megjithatë, sipas tij, ka shumë nevojë për përparimin thelbësor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Një takim me rëndësi në New York e ka zhvilluar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila është takuar me homologë nga vendet e mëdha të botës, për të diskutuar mbi sigurinë kibernetike, ku Shqipërisë sërish i është ofruar ndihmë në përballimin e sulmeve të Iranit si edhe është shprehur hapur nevoja për bashkëpunim në forcimin e sistemeve të sigurisë kibernetike. /Albanianpost.com

Read Previous

G7 dënon referendumet e rreme në zonat e pushtuara të Ukrainës

Read Next

Formalizohet Komiteti i Përbashkët BE-Kosovë për Kërkim dhe Inovacion