Familja Glazer ka vendosur çmimin për shitjen e Manchester United. Sipas raportimeve nga “Daily Mail”, pronarët aktualë të “Djajve të Kuq” do të synojnë të mbledhin 4.35 miliardë euro (3.75 miliardë paund).
Mes të interesuarve për të blerë United janë: njeriu më i pasur në Britaninë e Madhe dhe mbështetësi i klubit, Jim Ratcliffe, i cili dështoi në blerjen e Chelsea.
Megjithatë jo vetëm britanikë. Në fakt, edhe fondi sovran i Dubait do t’i kishte vënë syrin skuadrës nga “Old Trafford” dhe mund të ndiqte fondet e Abu Dhabi (Manchester City) dhe Arabisë Saudite (Newcastle United).
Javët e fundit “Bloomberg” kishte shkruar për mundësinë që familja amerikane të hapej për hyrjen e një investitori të ri. Sipas “Daily Mail”, Glazer tani po mendojnë të heqin dorë nga klubi.
Manchester United është një nga klubet më të njohura dhe më të suksesshme në futbollin botëror. Ka fituar 13 tituj të Premier League dhe vazhdimisht ka qenë në gjendje të tërheqë yjet më të mëdhenj në botën e futbollit, duke përfshirë – së fundmi – ata si Cristiano Ronaldo, Paul Pogba dhe Zlatan Ibrahimovic.
Klubi ka të ngjarë të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të investitorëve të mëdhenj, siç ndodhi në rastin e Chelsea.
I ndjeri Malcolm Glazer e bleu klubin në vitin 2005 dhe që atëherë familja është përballur me mosbesimin e mbështetësve më të zjarrtë.
Edhe pse kjo klimë u zbut në vitet e para të pronësisë së tyre, ndërsa skuadra vazhdoi të fitonte trofe me Sir Alex Ferguson, pakënaqësia u rrit pas pensionimit të menaxherit legjendar në 2013. /Albanianpost.com