Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në deklaratën e tij përpara nisjes së Forumit Strategjik të Bled-it në Slloveni është pyetur për ‘ngërçin’ me marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës.
Rama deklaroi bindshëm se nuk ka një mospërputhje mes autoriteteve shqiptare dhe atyre në Kosovë.
“Natyrisht kemi disa dallime, çka është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje, por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si të arrihet aty”, tha kryeministri shqiptar.
Për Ramën, ngërçi i Kosovës me Serbinë duhet të zgjidhet hap pas hapi, duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja.
Nga Bled-i kreu i Qeverisë shqiptare gjeti mundësinë të kërkojë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar, ndaj çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng dhe ky është një paradoks mjaft i rëndë dhe i turpshëm i kohëve tona”.
Po ashtu, siç ai ka përsëritur shpesh kryeministri ka ravijëzuar se mbetet një “fans” i idesë së presidentit francez, Emmanuel Macron, për krijimin e një strukture të re në Evropë.
Rama ndodhet sot në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, projekt i qeverisë sllovene, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.
Forumi zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e XXI-të.
Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale. /Albanianpost.com