Të martën e 23 gushtit, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo për arsyeje pasi dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro.
Kështu ka bërë të ditur Sazan Ibrahimi, kryetari i këtij asociacioni.
“Nesër komunat e Republikës së Kosovës do të mobilizohen dhe do ta deponojnë padinë, secila komunë veç e veç, ndaj ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për dëmet që ju kanë shkaktuar komunave përgjatë viteve të tëra sa i përket zbatimit të kontratave kolektive në arsim, përkatësisht në shëndetësi”, ka thënë Ibrahimi për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.
AKK, konsideron se shumica e mjeteve që janë shpenzuar në të kaluarën kanë qenë për investime kapitale.
“Në bazë të vlerësimeve të cilat Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka, del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve financiare, në të kaluarën kanë qenë të dedikuara për investime kapitale, për projekte të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit, në përmirësimin e jetës së qytetarit, por edhe zhvillimin ekonomik lokal”.
Ibrahimi, shprehet se nuk janë kundër këtyre kontratave por që barrën financiare duhet ta marrin institucionet që i kanë nënshkruar.
“Komunat kërkojnë drejtësi në këtë rast. Komunat kërkojnë që organet kompetente, që kanë nënshkruar kontratat këto kontratat kolektive, ta marrin edhe barrën financiare. Kjo është kërkesa e Asociacionit dhe e gjithë komunave”.
Më 9 qershor, Instituti Demokratik i Kosovës, ka konsideruar se buxhetimi me pjesëmarrje vazhdon të mbetet sfidë e vazhdueshme për qeverisjen lokale, ndërsa qeverisja gjithëpërfshirës forcohet vetëm duke dhënë hapësirë dhe mundësi qytetarëve. /Albanianpost.com