Arrestimi i rusëve në Shqipëri, ministrat e BE-së do të diskutojnë çështjen në Pragë

Çështja e rusëve dhe ukrainasit të arrestuar të shtunën në Shqipëri nën akuzën për spiunazh do të diskutohet në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Pragë më 31 gusht, sipas Euractiv.

Njëkohësisht, blloku 27-vendësh po shqyrton daljen me një qëndrim të unifikuar nëse duhet t’u jepen viza afatshkurtra qytetarëve rusë.

“Incidentet në Shqipëri vijnë pas një dileme të vazhdueshme të vendeve të BE-s nëse duhet ‘t’u binden’ thirrjeve të Ukrainës për të ndaluar hyrjen e turistëve rusë në bllok”, shkruan Euroactiv.

Letonia, Lituania dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave të reja turistike menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Finlanda njoftoi javën e kaluar se do të kufizojë numrin e vizave në vetëm 10 për qind të rasteve. Vendet e tjera të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Portugalinë, janë të rezervuar në lëshimin e vizave.

Shqipëria, nga ana tjetër, mori vendimin që të lëshojë viza turistike për rusët, në mënyrë që sa më shumë turistë të vizitojnë vendin.

Ukrainasi Mikhail Zorin, 23-vjeç, me pasaportë ruse, bashkë me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Ata u arrestuan menjëherë pas sulmit ndaj dy ushtarëve në ish-Uzinën e Armëve në Gramsh, pasi donin të futeshin brenda ndërsa nuk lejohet. Veta ata thonë se janë blogerë e fotografë dhe mohojnë akuzat. Dy ushtarët kanë lënë spitalin në gjendje të mirë shëndetësore. /Telegrafi/

Read Previous

Këto janë vendet më të mira në Evropë ku emigrantët mund të flasin me vendasit në gjuhën angleze

Read Next

Situata në centralin bërthamor Zaporizhia, liderët perëndimorë bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje