Opozita kërkon rishkrimin e Projektligjit për Byronë për konfiskimin e pasurisë

Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e tij të radhës këtë të mërkurë ka diskutuar për formimin e grupit punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kryetari i këtij komisioni dhe njëherit deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kërkuar që komisioni në fjalë në formë të një grupi punues të trajtojë në lexim të dytë projektligjin për Byronë Shtetërore.

“Unë i kam dorëzuar brenda afatit disa amendamente si deputet si material pune për grupin punues në mënyrë që të kemi propozime. Qëndrimi është i qartë, të gjitha rekomandimet e komisionit duhet të adresohen në këtë projektligj”, ka thënë Rrustemi.

Megjithatë, kundërshtim për këtë ka pasur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili ka thënë se në mënyrën se si është propozuar nga Qeveria, Projekligji është i papranueshëm.

“Ne kemi diskutuar gjatë për këtë Projektligj dhe e kemi marrë edhe raportin e Venecias. Nëse e analizojmë me kujdes, Komisioni i Venecias vetëm një gjë e konsideron të pranueshme, që konfiskimi civil mund të ndodhë. Asnjë paragraf dhe asnjë nen tjetër nuk e aprovon sipas leximit tim të këtyre rekomandimeve. Kur komisioni i Venecias vë në dilemë mënyrën e themelimit dhe zgjedhjes së drejtorit dhe strukturën udhëheqëse, dhe më pas formën e raportimit a duhet t’i raportojë Kuvendit apo jo. Unë refuzoj të jem pjesë e këtij grupi punues. Do të ishte mirë t’i sugjerojmë qeverisë edhe në këtë fazë ta tërheqë idenë dhe ta sjellë sërish me adresim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, ka thënë Selmanaj.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që Projektligji në fjalë të kthehet në Qeveri në mënyrë që të shkruhet nga fillimi.

“Nëse Byroja ka për qëllim të jetë institucion i pavarur, me leximin e ligjit ky institucion bie ndesh me ligjin dhe bëhet i varur. Me këtë ligj e kemi ulur nivelin e trajtimit të kësaj teme. Sipas këtij Projektligji, drejtori zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Ky drejtor që ka të drejtën të nisë hetime zgjidhet me 31 vota përderisa drejtorin e AKK e zgjedhin me procedurë të fshehtë. Ky institucion e godet në esencë atë që është ndërtuar për vite në gjykata dhe prokurori. Duke qenë se Komisioni i Venecias ka gjetur shumë vërejtje dhe faktori ndërkombëtar ka skepticizëm, propozimi ynë është që të kthehet ky ligj në Qeveri dhe të shkruhet prej fillimi. Ne si grup parlamentar nuk marrim pjesë në grup punues”, ka thënë Tahiri.

Edhe Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që Projektligji të kthehet në Qeveri për rishkrim.

“Pajtohem me deputetët kur deklarojnë se kërkojnë nga Ministria – Qeveria ta rishkruajë ligjin. Ne konsiderojmë që kjo nismë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk do të marrim pjesë në grup punues. Kërkojmë nga Qeveria të krijojë konsensus me partitë tjera, ta kthejë ligjin dhe ta punojmë bashkërisht një ligj të zbatueshëm”, është shprehur Beqa. /Albanianpost.com

Read Previous

VIDEO/ Ariu viziton shtëpinë në SHBA dhe i bie ziles së derës

Read Next

Inter, Milan apo Juventus? Cili ekip është më i kompletuar për të fituar Serie A këtë sezon?