Pas vizitave në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, Shefi i OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), Zbigniew Rau, po e viziton edhe Kosovën.
Rau është takuar fillimisht me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani edhe muajin e kaluar ishte takuar me Rau në një udhëtim jashtë vendit në margjinat e Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.
“Potencova nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë, si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euro-atlantike”, pati deklaruar Osmani t’i ketë thënë në takim diplomatit polak.
Pas takimit me presidenten, Rau do të mirëpritet edhe nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca, zëvendës-kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe më pas edhe nga ministri për Kthim dhe Komunitetet, Goran Rakiç.
Shefi i OSBE-së gjithashtu do ta vizitojë edhe Komisionin Qendror Zgjedhor.
Gjatë vizitës, ministri Rau do të takohet po ashtu edhe me operatorët e OSBE-së në terren dhe anëtarë të shoqërisë civile, thuhet në njoftim. /Albanianpost.com