AGK e ka dënuar veprimin e Kreshnik Abrashit ndaj ekipit të TV Syrit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim pengimin e raportimit të Ekipit të TV SYRI në Gjakovë.

Më poshtë, reagimi i plotë i AGK-së.

“Pengohet ekipi i TV SYRI nga shefi i Repartit të Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka pranuar me shqetësim pengimin e raportimit të Ekipit të TV SYRI në Gjakovë. Sipas ankesës së kolegëve të TV SYRI, gazetarja e këtij televizioni, Edmonda Avdija, nuk është lejuar të hyjë në Repartin e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin “Isa Grezda”, në Gjakovë, nga shefi i këtij reparti, Kreshnik Abrashi. “Gazetarja Edmonda Avdija nuk është lejuar te hyjë në Repartin e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin “Isa Grezda”, nga shefi i këtij reparti, Kreshnik Abrashi, me arsyetimin se më keni publikuar në portal kur jam arrestuar. Ai e ka mbyllur derën me sjellje të vrazhda dhe ka thënë se derisa është shef këtu nuk keni me xhiru”, thuhet në ankesën e televizionit drejtuar AGK-së. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e dënon këtë veprim të z.Abrashit, njëherësh cilëson se është shkelje flagrante e së drejtës për qasje në informacion, dhe bie në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes. Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të raportojnë, është tendencë për kontrollim të informatave. AGK-ja, njëherësh inkurajon gazetarët që të vazhdojnë të raportojnë dhe të mos heqin dorë nga informimi i qytetarëve.”

Read Previous

Tetë raste të reja me coronavirus në 24 orët e fundit

Read Next

Shoqata e të Verbërve në Gjakovë organizon turne shahu për Ditën e Çlirimit